Ros Leather

Vetoni dhe Vetoni tjetër nuk funksionojnë si një punishte e zakonshme. Tre lëkurë punes të mrekullueshëm tek të cilët që në fillim shihet se puna është fokusuar në kontroll dhe saktësi.

Leona Zogiani

Leona Zogiani

Product Owner

Featured

A faint blue cloud

Ross Leather nuk funksionon si një punishte e zakonshme. Tre lëkurëpunues të përkushtuar, tek të cilët që në fillim shihet se puna është e ndërtuar mbi kontroll dhe saktësi.

Por takimi me ta nuk ishte i planifikuar.

Ishte një telefonatë për një biznes tjetër në Prishtinë. Një numër i përzier gabimisht. Kur Vetoni u përgjigj dhe i shpjegova arsyen e telefonatës, në vend që ta mbyllte, ai filloi të tregojë për punën e tyre. Dhe shumë shpejt u bë e qartë që kjo nuk ishte një rastësi e zakonshme. Ishte një nga ato raste që të çojnë aty ku duhet të jesh.

Dhe jam e lumtur që ndodhi.

Të takosh dikë që punon me kaq kujdes dhe dashuri për atë që bën, është diçka që nuk e sheh shpesh.

Nga prodhimi në masë kaluan në punë të dorës, me fokus në detaje dhe në cilësi më të lartë. Përvoja prej rreth 40 vitesh e Vetonit të vjetër u bë bazë, ndërsa Vetoni i ri vazhdoi të mësojë dhe të zhvillohet brenda këtij procesi.

Roli i tyre është i ndarë, por puna është e ndërtuar në mënyrë që secili të mund ta mbulojë të gjithë procesin. Kjo nuk është vetëm ndarje detyrash. Është një mënyrë për të ruajtur njohurinë dhe për ta mbajtur procesin të qëndrueshëm.

Materiali që përdorin është i kufizuar dhe i zgjedhur me kujdes. Ata punojnë vetëm me lëkurë lope të përpunuar me metoda tradicionale, e njohur si vegetable tanned leather. Ky lloj përpunimi kërkon më shumë kohë, por jep një material që ndryshon dhe përmirësohet me kalimin e viteve.

Produkte të tilla nuk janë të ndërtuara për përdorim afatshkurtër. Në punishte mbahen ende shembuj të vjetër që vazhdojnë të përdoren pas dekadash. Kjo tregon qartë qëndrueshmërinë e materialit dhe mënyrën si është punuar.

Procesi fillon me prerjen e lëkurës, por kjo është vetëm faza e parë. Më pas vjen trajtimi me vaj, tharja dhe përpunimi me dyll. Çdo hap kërkon kohë dhe kontroll. Nuk ka hapa që mund të anashkalohen pa ndikuar në rezultatin final.

Një nga fazat më të ndjeshme është gravimi. Dizajni vizatohet fillimisht, pastaj gdhendet dhe pritet me mjete specifike. Kjo është punë që kërkon përqendrim të lartë. Gabimet nuk korrigjohen lehtë. Në disa raste, një pjesë e vetme mund të kërkojë dhjetëra orë pune, të shpërndara në disa ditë.

Edhe pas disa vitesh pune, procesi mbetet në zhvillim. Nuk ka një pikë ku mund të thuhet që puna është mësuar plotësisht.

Por ajo që bie në sy është mënyra si ata po e lidhin këtë zanat me gjeneratat e reja.

Në një cep të punishtes, një laptop i thjeshtë. I lidhur me asgjë tjetër përveç një programi ku krijohen pattern-e. Nuk është teknologji për ta zëvendësuar zanatin, është një mënyrë për ta bërë atë më të aksesueshëm për të rinjtë.

Që dikush tjetër të mund të vazhdojë atë që ata kanë ndërtuar.

T’i dëgjosh duke folur për këtë proces, për detajet, për mënyrën si një copë lëkure merr formë — është një eksperiencë më vete. Pasioni është i dukshëm në çdo fjali, në çdo lëvizje.

Një element i rëndësishëm është edhe raporti mes punës dhe tregut. Koha që kërkon një produkt shpesh është më e madhe sesa ajo që paguhet realisht. Kjo është një nga sfidat kryesore për këtë lloj zanati. Megjithatë, puna vazhdon në të njëjtin drejtim, pa u thjeshtuar për t’u përshtatur vetëm me çmimin.

Përveç produkteve funksionale, krijohen edhe pjesë me identitet të veçantë. Kombinimi i lëkurës me materiale të tjera si druri, apo përdorimi i motiveve të caktuara, e lidh produktin me një kontekst më të gjerë kulturor.

Ka edhe projekte që zgjasin muaj të tërë. Jo për shkak të mungesës së kapacitetit, por sepse vetë procesi kërkon kohë. Nuk mund të shpejtohet pa e prishur rezultatin.

Ross Leather funksionon mbi një logjikë të thjeshtë. Në vend që të prodhohen shumë njësi, prodhohen pak — por me standard të lartë. Në vend që të optimizohet për shpejtësi, optimizohet për cilësi.

Kjo e bën procesin më të ngadaltë, por edhe më të qëndrueshëm në kohë.

Rrjetet Sociale