Nga një ide e thjeshtë në pataten e preferuar

Në një rrugë të qetë të qytetit, Frisso Fry nuk lindi si një plan i madh biznesi, por si një vendim i dy njerëzve të rinj që donin të bënin diçka të mirë, me shije dhe me kuptim.

woman in black turtleneck shirt

Leona Zogiani

Product Owner

Featured

Frisso Fry

Në një rrugë të qetë të Prishtinës, larg zhurmës së bizneseve të mëdha, filloi një ide e thjeshtë.

Por për mua, kjo histori filloi pak më ndryshe.

Një ditë, në një kafe tjetër, pashë dy vajza duke ngrënë patate… por jo nga ai vend. I kishin marrë me vete. Dhe nuk ishte thjesht një snack i zakonshëm, mënyra si dukeshin e bënte shumë të qartë që këto patate ishin ndryshe.

Më ofruan t’i provoja.

Por sinqerisht… nuk kisha nevojë. Ishte e qartë që do më pëlqenin. Kaloi pothuajse një vit. Dhe pastaj erdhi momenti që t’i takonim.

Nuk e dinim si do shkonte duke qenë se ishte i pari biznes për Këqyre Kosovën. Nuk kishim shumë pritshmëri të qarta. Por që në takimin e parë, gjithçka u bë e lehtë. Liri dhe Aulona janë nga ata njerëz që e bëjnë bisedën të rrjedhë vetë, pa sforcim, pa formalitet.

Dhe shumë shpejt u kuptua që edhe biznesi i tyre është ndërtuar në të njëjtën mënyrë.

Pa komplikuar gjërat. Pa bërë më shumë sesa duhet. Thjesht, duke i bërë gjërat mirë.

Ideja erdhi nga përvoja e Lirit në Holandë. Ai kishte parë një model të thjeshtë: një produkt i bërë mirë, i mbajtur në standard të njëjtë çdo ditë. Pyetja ishte nëse kjo mund të funksiononte në Prishtinë.

Dhe ata vendosën ta provojnë.

Nuk ndërtuan një menu të madhe. U fokusuan në një gjë. Patatet.

Por çdo detaj u mor seriozisht. Përbërësit, vaji, mënyra e përgatitjes, shërbimi. Gjërat bazë, por të bëra si duhet.

Fillimi ishte i thjeshtë. Një hapësirë e vogël, shumë punë manuale dhe një ritëm që duhej mbajtur çdo ditë.

Dhe pastaj filluan të kthehen klientët. Jo për shkak të marketingut. Por sepse ajo që merrnin sot, ishte e njëjtë edhe nesër.

Kjo është më e vështirë sesa duket. Frisso Fry u ndërtua mbi këtë ide. Konsistencë. Çdo porosi e njëjtë. Çdo herë.

Me kohë, biznesi u rrit. Jo shpejt, por saktë. Nga një vend i vogël në një pikë që njerëzit e njohin dhe e kërkojnë.

Menuja u zgjerua pak nga pak, tacos, arancini, croquette, por pa humbur fokusin. Edhe sosat bëhen vetë. Çdo detaj kontrollohet.

Sepse në fund, nuk është për të bërë shumë. Është për të bërë një gjë mirë… dhe për ta mbajtur atë nivel.

Rrjetet Sociale